Kombëtarja e shqiptare e futbollit e nisi në mënyrën e duhur edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.
Edhe pse kishin një kohë të gjatë që nuk grumbulloheshin, të gjithë futbollistët zhvilluan një ndeshje të mirë dhe në fund triumfuan me rezultatin 2-0 me gola që erdhën nga Sokol Cikalleshi dhe Keidi Bare.
Kuqezinjtë arritën të ruanin ritmin për 90 minuta, duke mos e venë në diskutim për asnjë moment fitoren.
Ajo që u vu re në fushën e lojës ishte një kompaktësi mes futbollistëve që më sa kanë përvetësuar edhe idetë e trajnerit Reja. Ky i fundit ishte i kënaqur më rezultatin por edhe me lojën e skuadrës
“Kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë, kur edhe gjetëm golin e avantazhit, ndërsa më pas patëm një rënie të pritshme fizike, ndaj u vendosëm pak më mbrapa.
Prandaj vendosa të aktivizoja Roshin që të ishim të rrezikshëm me kundërsulme. Jam i kënaqur me paraqitjen dhe mbi të gjitha me fitoren”, u shpreh trajneri Reja.
Tashmë për përfaqësuesen shqiptare të futbollit nuk ka shumë kohë për t’u qetësuar, pasi i pret një tjetër ndeshje. Të hënën përfaqësuesja luan përballë Lituanisë në stadiumin ‘Air Albania’.



