
Mesfushori i Kombëtares, Amir Abrashi ka folur ditën e sotme para mediave, në prag të ndeshjes miqësore me Uellsin, e cila do të luhet nesër në transfertë. Futbollisti nuk e fshehu kënaqësinë që do të mbajë shiritin e kapitenit nesër, teksa ka thënë se mezi po e pret momentin kur do futet në fushë. Ndër të tjera, Abrashi ka thënë se Shqipëria do të futet në këtë ndeshje vetëm për të marrë fitoren.
“Është kënaqësi e madhe dhe nder i veçantë te jem kapiten i skuadrës së Shqipërisë, skuadër qe unë e dashuroj. Me padurim pres të fillojë ndeshja.
Më e mira është që edhe të fitojmë edhe të luajmë mirë normal, por mendimi im është që në këto dy ndeshje të bëjmë lojën tonë dhe janë përgatitje e mirë për dy ndeshjet që kemi në shtator, por normal që do të futemi në fushë për të fituar që në këtë ndeshje dhe për të përforcuar ekipin. Ata kanë skuadrën e fortë, por edhe ne kemi kualitet për të fituar këtë ndeshje. Do të japim 100% dhe shpresojmë me rezultate pozitive.
Unë e shoh veten si lider, me moshë dhe me vitet që kam luajtur me skuadrën, kam shumë eksperiencë dhe i ndihmoj me karakteristikat e mia, i ndihmoj djemtë e rinj dhe kjo është puna ime. Të kesh shiritin, edhe nëse nuk e ke shiritin, është njësoj. Puna është të jesh lider në ekip. Unë e ndjej si lider veten.
Uellsi është fizikisht shume i fortë dhe luan futboll të mirë. Kanë karakteristikat e futbollistëve britanikë dhe nuk është kundërshtar i thjeshtë. Kemi parë gjërat pozitive dhe negative në stërvitje me trajnerin.”, u shpreh Abrashi.



