Drejtori i Komunikimit në FSHF, Andi Verçani, në edicionin e lajmeve në MCN TV, tha se Bashkia e Tiarnës nuk zbaton ligjin e privatizimit, duke u përfshirë si aksionere në klubin e futbollit të Tiranës. Verçani mohon që të ketë nisur një hetim ndaj presidentit Duka apo të tjerëve në FSHF.
Gjithashtu ai tha se përplasjet e fundit, rrezikojnë zhvillimin e finales së Conference League, e cila do të mbahet në “Air Albania” në muajin maj.
“Bashkia e Tiranës nuk zbaton prej 9 muajsh ligjin e privatizimit të aksioneve, diçka që e ka kërkuar edhe kryeministri Rama. Bashkia e Tiranës, është nga një nga bashkitë, e cila prej 9 muajsh nuk e zbaton ligjin, që ka hyrë në fuqi nga korriku i vitit 2021, që çdo klub në pronësi të bashkisë, qoftë edhe 1% të aksioneve të ketë, duhet t’i bëjë procesin e privatizimit.
Në këto momente që po flasim, nuk kemi një dokument apo shkresë, që të ketë ardhur dhe të ketë kërkuar një informacion. Një deklaratë të drejtuesit të SPAK, Arben Kraja, i cili ka bërë me dije për opinionin publik se SPAK-u nuk ka asnjë çështje për FSHF dhe nuk e ka në kompetencë hetimin e presidentit të saj. Të njëjtën gjë ka thënë edhe prokurorja e Tiranës, Elisabeta Ymeraj.
Besoj se si gjithmonë, një përfaqësues i lartë i UEFA-s, do të jetë për të ndjekur procesin zgjedhor në FSHF, më 2 mars.
Finalja në “Air Albania”? Imazhi turistik i Shqipërisë, jo vetëm imazhi futbollistik i Shqipërisë, është në rrezik. Kemi të bëjmë me një event të jashtëzakonshëm, i cili do i sjellë ekonomisë së Tiranës, 140 milionë euro. Do ishte katastrofike për Shqipërinë, anulimi i finales së Conference League dhe zhvendosja dikur tjetër.”, u shpreh Verçani.



