
Interi është vetëm një ndeshje larg finales së madhe të Champions League. Pas fitores në ndeshjen e parë 0-2, tashmë zikaltërit do të përballen me Milanin, në ndeshjen e kthimit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve.
Duke folur në konferencë për shtyp, trajneri i Interit, Simone Inzaghi, deklaroi se skuadra e tij duhet ta luajë ndeshjen sikur të jetë 0-0.
I pyetur për arbitrin, që është francez, Inzaghi tha se nuk mendon për këtë, por vetëm për atë që skuadra do tregojë në fushë.
Luajmë një nga ndeshjet më të rëndësishme dhe duhet të futemi në fushë sikur gjithçka të jetë barazim 0-0. Duhet të japim gjithçka që t’ia dalim të mbajmë gjallë ëndrrën tonë. Kemi në dispozicion thuajse të gjithë lojtarët dhe Lukaku është në formë, por nuk besoj që mund të luajë tre ndeshje në 7 ditë. Megjithatë vlerësimet për formacionin i bëjmë nesër.
Nuk mendoj aspak për arbitrimin nesër, por për atë që ne duhet të bëjmë në fushë. Arbitri do të dijë të jetë profesionist dhe të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne, të përqendrohemi te loja jonë.



