
Shqipëria U-17, do të zhvillojë dy miqësore në muajin shtator ndaj Maqedonisë së Veriut.
FSHF njofton se dy federatat përkatëse kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy ndeshjeve në datat 12 dhe 14 shtator.
Sfida e parë e kuqezinjve do të luhet në transfertë, më 12 shtator, ndërsa përballja e dytë do të zhvillohet dy ditë më pas në vendin tonë, teksa mbeten për t’u përcaktuar stadiumet se ku do të luhen dhe ora e takimeve.
Këto dy sfida janë shumë të vlefshme për ekipin kuqezi, që drejtohet nga trajneri Ervin Bulku, i cili do të testojë dhe do t’u japë mundësi lojtarëve që do të thërrasë të tregojnë cilësitë e tyre, për të vendosur më tej për grupin e futbollistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2022/2023 për këtë grupmoshë.
Shqipëria U-17 është shortuar në grupin 7, së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin, ku ndeshjet do të zhvillohen në formën e një mini-turneu në Kroaci në muajin tetor, përkatësisht në datat 20, 23 dhe 26 tetor 2022.



