
Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja, ka folur me superlativa për mbrojtësin Marash Kumbulla, i cili aktivizohet me skuadrën e Romës në Serie A. Reja për “Corriere dello Sport”, tha se Kumbulla është një profesionist i madh, ndërsa shtoi se mund të përshtatet kudo.
“Në fillim në Romë hasi disa vështirësi, në Verona u përkëdhel pak, ndihej si në shtëpinë e tij. Edhe në Shqipëri ai luan me skemën me tre mbrojtës, është perfekt në atë modul, mund t’i bëjë të dyja modulet, nëse gjen besim mund të rritet më tej, mund të përmirësohet ende shumë.
Në kokën e tij është i mirë, di të përshtatet dhe të përfitojë nga topat joaktivë, ka kohën e duhur. Nuk habitem që po gjen më shumë hapësira, jam i lumtur që e shoh protagonist në një kampionat të vështirë si ai italian. Ai është një profesionist i madh, një punëtor i vërtetë. Ai vjen nga një familje shumë serioze dhe kjo e ndihmon”, u shpreh Reja.



