
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s zhvilloi këtë pasdite mbledhjen e radhës në Tiranë, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në qendrën e vëmendjes së futbollit evropian.
Takimi u konsiderua si një zhvillim me rëndësi strategjike, jo vetëm për futbollin shqiptar, por edhe për forcimin e bashkëpunimit institucional mes UEFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Gazetari sportiv Xhevdet Zekaj, në një prononcim për “MCN Informacion”, e cilësoi këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm dhe mbështetës për politikat sportive në Shqipëri.
Natyrisht, është një ditë e madhe dhe e gëzueshme për futbollin shqiptar. Fakti që Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mblidhet në Tiranë është një tregues i qartë i mbështetjes së madhe për politikat sportive të FSHF-së dhe një sinjal që UEFA po synon të zgjerojë më tej praninë dhe aktivitetin e saj në të gjithë Evropën.
Ai theksoi se besimi i UEFA-s ndaj Shqipërisë lidhet ngushtë me sukseset në rritje të FSHF-së dhe infrastrukturën moderne që është zhvilluar në vend.
Garancia që ofron infrastruktura sportive në Shqipëri, së bashku me arritjet e FSHF-së në raport me UEFA-n dhe zhvillimin e futbollit në përgjithësi, kanë bërë që Tirana të zgjidhet si vend mikpritës. Ky është një sinjal i fortë besimi dhe vlerësimi.



