
Ardit Krymi, futbollisti i Vllaznisë, është dënuar me dy ndeshje pezullim për shkak të goditjes ndaj kundërshtarit Enea Bitri në ndeshjen me Partizanin. Pavarësisht se shkodrani ishte protagonisti i kësaj përplasje të dy futbollistët u ndëshkuan me karton të kuq nga arbitri.
Ndërkohë më poshtë janë të gjithë vendimet e Komisionit të Disiplinës për javën që lamë pas.
Vendimet e Komisionit
1. Lojtari i KF Vllaznia, Ardit Krymi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
2. KF Tirana, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së stërvitjes në stadiumin “Selman Stërmasi”, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
3. KS Kastrioti U-21, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore U-21, kundër KF Bylis U-21, në bazë të nenit 54/1 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
4. Lojtari i KF Shkodra U-19, Albi Shpuza, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
5. Lojtari i Shkëndija Dr. U-19, Eldi Mala, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/b të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.



