
Hektor Idrizaj është lojtari më i ri i Teutës. Ka qenë vetë klubi durrsak që nëpërmjet një komunikate, ka bërë të ditur se ka firmosur me mbrojtësin e djathtë.
Idrizaj u largua nga Partizani pas përfundimit të sezonit, teksa ka vendosur të mos ndryshojë kampionat, duke u transferuar në Durrës.
Bëhet fjalë për një rikthim të lojtarit te Teuta, skuadër me të cilën luajti para 7 vitesh.
“Teuta konfirmon akordin me mbrojtësin, Hektor Idrizaj. Vlonjati rikthehet te Teuta pas shtatë vitesh, teksa ishte pjesë e Partizanit për dy sezonet e fundit. Pas arritjes së marrëveshjes dhe zyrtarizimit të bashkëpunimit, Idrizaj nga sot është bashkuar me skuadrën në Durrës ku po zhvillohen përgatitjet për paraqitjen në eliminatoret e UEFA Conference League.”, thuhen në komunikatën e klubit të Teutës.



