Shqipëria përfaqësohet me një sportist, në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin, siç është skiatori 18-vjeçar, Denni Xhepa. Ky i fundit do të zhvillojë garën e parë më 13 shkurt dhe sekretari i përgjithshëm i KOKSH, Gerti Shima, u shpreh se shpresojnë në një renditje të mirë.
Në emisionin “SportZone”, në MCN TV, Shima tregoi edhe detaje nga Lojërat Olimpike Dimërore, duke thënë se bora atje nuk është bio, por është artificiale.
“Masat janë shumë strikte. Edhe në hotel jemi në një karantinë totale, nuk lejohet fare të dalim nga hoteli. Çdo gjë është e kontrolluar. Është një situatë e sikletshme. Nuk po e merr vesh, nëse je në Pekin apo Tiranë, rrimë vetëm në hotel.
Deri tani kanë garuar vetëm sportistët kosovarë, ne e kemi garën më 13 dhe 16 shkurt. Gjërat po shkojnë mirë. Kemi pasur persona pozitiv me Covid-19 nga stafi, por për fat të mirë, sportisti jonë doli negativ.
Niveli i sportistëve është shumë i lartë. Denni është vetëm 18 vjeç dhe nuk e ka ndihmuar njeriu për të ardhur këtu. Ai ka punuar në 2 vitet e fundit. Këtu është falë aftësive të tij. Ne kemi shpresa për një renditje të mirë. Besoj që do të kemi një të ardhme më të mirë, për sa i përket sportit të skive. Sportistët stërviten në Itali, ashtu si edhe Denni. Do kishim edhe një vajzë për Shqipërinë këtu, por në fund pësoi një dëmtim.
Pjesa e sikletshme është që pavarësisht se jemi në Pekin, bora në male është artificiale. Kjo është e vështirë për të gjithë sportistët. Nuk është borë bio. Janë shumë pista në majë të malit, me borë artificiale.”



