Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se ka kërkuar nga FIFA rishikimin e kartonit të kuq të marrë nga sulmuesi amerikan Folarin Balogun në ndeshjen ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës.
Sipas Trump, ndërhyrja e tij u pasua nga vendimi i FIFA-s për të pezulluar zbatimin e dënimit me një ndeshje, çka i hap rrugën Balogun të jetë i gatshëm për sfidën e fazës së 1/16-ve të Kupës së Botës ndaj Belgjikës.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në arenën ndërkombëtare të futbollit. Federata Belge e Futbollit, trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, si dhe UEFA, kanë kritikuar ashpër FIFA-n, duke e akuzuar për trajtim preferencial ndaj SHBA-së dhe duke ngritur pikëpyetje mbi integritetin e garës.
Në një deklaratë nga Zyra Ovale, Trump tha se kartoni i kuq ishte një vendim i padrejtë dhe se kontakti mes Balogun dhe kundërshtarit ishte thjesht një përplasje aksidentale gjatë lojës.
Unë e pashë ndeshjen. Nuk ishte faull, madje nuk ishte as shkelje. Ishin dy lojtarë që po vraponin me shpejtësi të plotë dhe u përplasën rastësisht. Askush nuk mund ta besonte vendimin e arbitrit," u shpreh Trump.
Presidenti amerikan shtoi se nuk ishte në dijeni se kartoni i kuq do ta linte Balogun jashtë ndeshjes pasardhëse, duke e cilësuar këtë si një ndëshkim të padrejtë.
Kur humbet një nga lojtarët më të rëndësishëm për një ndeshje që ende nuk është luajtur, kjo nuk është drejtësi. Për këtë arsye kërkova nga FIFA që ta rishikonte rastin," deklaroi ai.
Trump zbuloi gjithashtu se kishte kontaktuar me një zyrtar të lartë të FIFA-s, të cilin e përshkroi si "shumë të respektuar", duke lënë të kuptohet se komunikimi i tij ndikoi në vendimin për rishikimin e çështjes.



