
Tek Reali Madridi vijon të punohet me shumë përkushtim për të vijuar në të njëjtën rrugë edhe në sezonin vijues.
‘’ Galaktikët ‘’, nën drejtimin e një eksperti siç është Carlo Ancelotti janë kandidatë potencialë për të fituar çdo trofe në aktualin por gjithsesi edhe në momente shumë të mira, çdo ekip ka nevojë për përmirësim.
Reparti i mbrojtjes s’po e bind aq sa duhet italianin dhe me kohë drejtuesit e kryeqytetasve i kanë përveshur mëngët në lidhje me gjetjen e elementëve të duhur në merkaton e verës.
Nga ‘’ Santiago Bernabeu ‘’ priten largime, dy ndër të cilët mund të jenë David Alaba dhe Nacho Fernandezi dhe ka filluar të mendohet për zëvëndësuesit.
Cristian Romero i Tottenham Hotspurit është bërë pjesë e listës së gjatë të ‘’ Los Blancos ‘’, për të cilin pritet që në javët vijuese të fillojnë negociatat ndërmjet drejtuesve respektivë.
Argjentinasi po zhvillon sezonin e tretë me ‘’ Gjelat e Londrës ‘’, lojtar që në të kaluarën shfaqi cilësitë edhe në Serinë A, sidomos tek Atalanta e Bergamos.
Ecuria shumë e mirë 25 vjeçarit besohet se do ti sigurojë të ardhura të konsiderueshme Tottenham Hotspurit, një lider edhe tek kombëtarja ‘ Albiceleste ‘.
Presidenti Daniel Levy është i ndërgjegjshëm për kontributin e Cristian Romeros tek ‘’ Spursat ‘’ dhe duke qenë se flitet për Real Madridin, do të tentojë të përfitojë në maksimum nga largimi i tij nga ‘’ White Hart Lane ‘’.



