Frederik Veseli, mbrojtësi i Kombëtares që luajti si titullar kundër Bjellorusisë, thotë se kuqezinjtë nuk e meritonin të ishin në Ligën C të Ligës së Kombeve. Sipas Veselit tani pritet të shihet Kombëtarja në Ligën B, ku do të ketë rivalë më të vështirë.
“Kemi bërë një paraqitje të mirë me vetëbesim. Kemi zhvilluar aksione të bukura. Kur kemi pësuar gol kemi qenë pak në presion, por gjithsesi kemi demonstruar shumë gjëra të bukura që i kemi punuar gjatë javës në stërvitje. Është kënaqësi kur praktikohen edhe në lojë, jo vetëm në stërvitje.
Kemi marrë 6 pikë, kemi dalë në vend të parë në grup. Ai ishte objektivi jonë si skuadër si grup. Mungesa ka pasur. Do të kemi gjithmonë mungesa. Duhet të bëhemi si skuadër, të tregojmë karakterin dhe dëshirën tonë dhe të luajmë mirë të gjithë bashkë.
Kemi lojtarë të rinj për të ardhmen si dhe lojtarë me eksperiencë dhe jo shumë të vjetër. Shpresoj se më shumë do të punojmë dhe do të arrijmë një nivel edhe më të lartë. Sot me fitoren dhe me daljen të parët në grup e kemi demonstruar që nuk meritojmë të jemi në këtë grup. Të shikojmë si do ia dalim në grupin më lartë”, u shpreh Veseli.



