
Një ngjarje aspak e këndshme është regjistruar në ndeshjen mes Delvinës dhe AF Elbasanit, në Kategorinë e Dytë.
Ndeshja është ndërprerë pak minuta pasi kishte filluar pjesa e dytë. Gjatë nisjes së një aksioni, Delvina pretendon për penallti, por nuk ishte i këtij mendimi arbitri kryesor, Xhulio Agolli, i cili e konsideroi se të rregullt ndërhyrjen ndaj lojtarit vendas.
Ky rast shkaktoi protesta të shumta tek lojtarët, por edhe nga tifozët. Madje një prej këtyre të fundit, goditi me gur arbitrin nga jashtë stadiumit, duke sjellë edhe ndërprerjen e ndeshjes, teksa pritet te jepet fitorja në tavolinë për Elbasanin.
Pas ndeshjes, policia njoftoi edhe arrestimin e tifozit që goditi arbitrin, teksa bëhet fjalë për një 50-vjeccar, me iniciale T.P.
NJOFTIMI I POLICISË:
Delvinë/Hodhi sende të forta në fushë duke dëmtuar arbitrin kryesor të ndeshjes së futbollit, arrestohet në flagrancë 50-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë arrestuan në flagrancë shtetasin T. P., 50 vjeç, banues në Delvinë.
Gjatë ndeshjes së futbollit të kategorisë së dytë, ndërmjet skuadrave të Delvinës dhe Elbasanit, të zhvilluar ditën e sotme, në stadiumin “Panajot Pano”, Delvinë, 50-vjeçari nga lartësia e një pallati afër stadiumit, ka hedhur sende të forta (gurë), në fushë duke dëmtuar arbitrin e ndeshjes, shtetasin Xh. A., i cili pasi ka marrë ndihmë mjekësore në spital është larguar në banesë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Goditja e sportistit, trajnerit, ndërmjetësit sportiv” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitet sportive”.



