Trajneri i Kombëtares shqiptare nuk sheh përgjegjësi te vetja për dy humbjet e thella me Kosovën dhe Ukrainën.
Në një intervistë të publikuar në faqen zyrtare të FSHF-së, Panuçi tha se zjarri në Kombëtare ishte i fikur.
Panuçi thotë se shkak për humbjen u bë mungesa e lojëtarëve të rëndësishëm.
“Zjarr absolutisht i fikur. Nuk ka asgjë kaq të rëndë dhe katastrofike siç duan ta bëjnë. Patëm bërë dy ndeshje shumë negative, sepse skuadrës i kishte përfunduar benzina, e kishim shumë të vështirë, sepse nuk jemi as Brazili, as Franca. Jemi pa Bashën, Çakën, Memushajn, Sadikun, Mavraj etj. Ukraina i kishte të gjithë lojtarët e Shaktar dhe Dinamo Kiev. Kishin cilësi tjetër nga e jona. Nëse nuk rikuperojmë të gjithë lojtarët e rëndësishëm, do ta kemi të vështirë”, tha ai.
I pyetur nëse i frikësohet largimit nga drejtimi i Kombëtares shqiptare, Panuçi shprehet se kjo është situatë e përkohshme.
“Jo, nuk e mendoj. Për momentin sepse kemi ekuilibrin për të kuptuar së gjërat shkonin mirë në nëntor, me Norvegjinë dolëm mirë. Nëse mendojmë se do t’i fitojmë të gjitha, e kemi gabim”.
Në lidhje me dy humbjet e fundit, Panuçi bën dallimin. “Luajtëm më mirë me Ukrainën se me Kosovën”, thotë ai.
Panuçi komenton edhe incidentin pas ndeshjes, kur la në mes intervistën dhe u largua.
“Ishte e organizuar keq. Sepse ishte para të gjithë tifozëve të zemëruar me mua. Edhe ne të Federatës gabuam, sepse nuk duhej të çonim teknikun atje. Nuk mund të bëhej intervista dhe u larguam”, tha ai.



