
Shqipëria do të luajë dy miqësore gjatë këtij muaji, atë ndaj Spanjës më 26 mars dhe 3 ditë më vonë ndaj Gjeorgjisë. Në lidhje më këtë, në edicionin e lajmeve në MCN TV, ka folur gazetari i sportit, Edi Hajdini.
Ky i fundit u shpreh se shanset e Shqipërisë për një rezultat pozitiv ndaj Spanjës, janë minimale. Sipas Hajdinit, një humbje minimale ndaj iberikëve, do të ishte një rezultat pozitiv për kuqezinjtë.
Lojtarëve i takon të flasin për rezultat pozitiv ndaj Spanjës, por gjasat për këtë janë minimale. Spanja këtë miqësore e bën për të plotësuar boshllëqet për Botëror. Spanja për çdo kompeticion është mes favoritëve për ta fituar. Në 5 ndeshjet e fundit me Spanjën, ne kemi pësuar 22 gola dhe kemi shënuar vetëm 1. Diferencat janë shumë të mëdha. Çdo gjë mund të ndodhë, por Spanja është nga ato skuadra, kur na momenti në moment pritet të të shënojë gol. Një humbje minimale, do të ishte rezultat pozitiv.
Fitorja ndaj Gjeorgjisë pastaj është detyrim. I kemi mposhtur edhe në të kaluarën. Kemi futbollistë që janë shtuar në kampionate elitare. Broja është aktualisht lojtari më në formë për Shqipërinë. Me siguri është që nuk do të ketë eksperimente në formacione.



