
Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi ditën e sotme do të njoftojë largimin përfundimisht, nga sporti i Xhudos, pas një karriere të suksesshme. Për atë që ajo i dha Kosovës, sot pensionimi i saj do të bëhet me ceremoni shtetërore.
Kelmendi me arritjet e mëdha, bëri që emri i Kosovës të dëgjohej në shumë shtete të botës. Në vitin 2009, ajo do të fitonte medaljen e artë në kampionatin botëror për të rinj, që asokohe u mbajt në Paris të Francës.
Titullin e parë botëror, Majlinda Kelmendi e fitoi në vitin 2013 në kampionatin botëror në Rio de Janeiro në Brazil. Ajo arriti ta mbrojë titullin botëror edhe në vitin 2014, kur u shpall xhudistja më e mirë në botë, në të gjitha kategoritë.
Në Lojërat Olimpike në Rio2016, Majlinda Kelmendi u shndërrua në sportisten më të suksesshme kosovare, pasi fitoi medaljen e artë në xhudo, duke u bërë atletja e parë kosovare që fiton një medalje të artë në Lojërat Olimpike.
Pas një karriere të suksesshme dhe me arritje të mëdha, Kelmendi ka vendosur të pensionohet dhe me këtë rast, do të organizohet një ceremoni nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila do të mbahet ne Institutin "Ali Hadri" në Prishtinë, me fillim në ora 18:00.



