Partizani nuk ka ndërmend të ndalet në merkato, teksa ditën e sotme ka prezantuar afrimin e radhës në skuadër. Mbrojtësi Aleksandar Damcevksi, është afrimi më i ri i kryeqytetasve. Ka qenë vetë klubi i kuq që e ka prezantuar futbollistin nga Maqedonia e Veriut, teksa trajnerit Ilir Daja i shtohen kështu forcat në prapavijë.
Mbrojtësi, 194 centimetra i gjatë, është një lojtar me CV të pasur dhe ka luajtur me moshat e Maqedonisë së Veriut dhe me përfaqësuesen e madhe në një ndeshje kundër Ukrainës, në kualifikueset e EURO 2016.
Në sezonin e fundit Damcevski ishte pjesë e Ararat në Armeni, teksa në të kaluarën, më saktë në vitin 2015 ka luajtur edhe në elitën e futbollit holandez, me skuadrën e NAC Breda.
“Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me Aleksandar Damçevskin. Qendërmbrojtësi 28 vjeçar nga Maqedonia e Veriut ka nënshkruar me të kuqtë një kontratë 1 vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon.”, thuhet në komunikatën e klubit të Partizanit.



