Insuficencë akute e zemrës, me kardiomiopati të zgjeruar. Ky është përfundimi paraprak në të cilin është dalë pas autopsisë që i është bërë trupit të futbollistit Diego Armando Maradona, i cili vdiq të mërkurën rreth orës 12 në rezidencën e tij. Autopsia u krye në spitalin San Fernando, jashtë të cilit, si në shumë vende të tjera simbolike në Argjentinë, ishin mbledhur turma tifozësh.
Mjekët kanë konstatuar se insuficenca kardiake është shkaktuar nga një "edemë akute pulmonare", raporton argjentinasja “Clarin”.
Ndërkohë, në orën 6.18 të mëngjesit me orën lokale (10:18 e mëngjesit në Shqipëri) – është hapur ceremonia mortore në Casa Rosada në Buenos Aires, ku ndodhet arkivoli me trupin e pajetë të Maradonës. Tifozë të shumtë janë vendosur në radhë gjatë natës për t’i dhënë lamtumirën e fundit legjendës së futbollit.
Fillimisht u fol për homazhe që do të zgjasnin 48-72 orë, por familja ka kërkuar që ceremonia të mos i kalojë dhjetë orë. Gjatë gjithë natës, La Doce, mbështetësit zyrtarë të ekipit të Boca Juniors, u vunë në rreshtin e parë në pritje të hapjes së dyerve.



