Për herë të parë mbërriti sot në Shqipëri Trofeu Origjinal i Kupës së Botës, një event i rëndësishëm për futbollin dhe për të gjithë sportdashësit shqiptar.
Fifa World Cup nga Coca-Cola ka mbërritur në Tiranë, përmes një ceremonie solemne të organizuar në Aeroportin e Rinasit, ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
I uroj mirëseardhjen edhe të famshmit Gilberto Silva, fitues i këtij trofeu në 2002, i cili vjen në Shqipëri duke sjellë një copëz histori dhe nostalgji të futbollit të mrekullueshëm brazilian dhe botëror.Kupa e Botës, nuk është e artë vetëm nga floriri, por është e artë sepse ka brenda talent dhe pasion, përpjekje, shpirt gare dhe fantazi, lot dhe gëzim. Kjo kupë ka shëtitur në të gjithë rruzullin tokësor, në Amerikën Latine, Evropë, Azinë, dhe është ngritur lart nga futbollistë të mrekullueshëm, të talentuar që kanë frymëzuar miliona njerëz me lojën dhe golat e bukur.
Miliona njerëz kanë ëndërruar të shikojnë ekipin e atdheut të tyre të fitojë ketë kupë magjike. Vërtetë duhet shumë punë, sakrificë, strategji, por edhe pak fat për të fituar këtë kupë. Pjesëmarrja në Kampionatin Europian “Francë 2016″ ishte një ëndërr që dukej e pamundur, por u bë realitet nga djemtë e mrekullueshëm të Kombëtares sonë. Ne jemi anëtarë në FIFA prej vitit 1932, kemi patur vazhdimisht mbështetjen e saj, dhe ëndrra jonë është të kualifikohemi në Kampionatin Botëror. Prandaj le të jetë një ogur i mirë prania e kësaj kupe magjike këtu në Tiranë dhe le të vazhdojmë ëndrrën!.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi pritën ekipin e Trofeut të Kupës së Botës në aeroportin e Rinasit. Veliaj tregoi bisedën me ish futbollistin brazilian Gilberto Silva, nga i cili mori mesazhin se për të qenë një sportist, politikan apo inxhinier duhet të jesh njeri i mirë.
Nga biseda që po bënim me Gilberton kuptova se shpesh herë, duke u fokusuar tek trofeu, rezultati i garës harrojmë se mbi të gjitha, përveç se të jeh sportist i mirë duhet të jesh njeri i mirë dhe më pas mund të bëhesh politikan i mirë, inxhinier i mirë, biznesmen i mirë. Unë besoj që kemi ambicie për të pasur sportin elitar dhe komunitar. Sot duke sjellë Kupën e Botës në Tiranë, besoj se do të jetë një Silva i vogël në një cep të Tiranës ose Shqipërisë ku me fantazi, dëshirë e pasion do të gjejë forcat për t’iu përkushtuar një jetë të tërë ambicies.
Ndër të tjera, Veliaj përsëriti thirrjen që e mërkura të jetë dita pa makina për finalen e Conference League pasi do të ketë dyndje të kryeqytetit dhe duhet të gjithë të dalin faqebardhë duke respektuar rregullat.
Finalja e Conference League, kompeticionit të UEFA-s që do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj, pritet të sjellë mijëra tifozë nga Italia dhe Holanda.
Trofeu i turneut “FIFA World Cup” nga Coca-Cola në Tiranë,do të ndalet në 51 vende dhe territore. Për herë të parë, turneu do të vizitojë të 32 vendet që u kualifikuan për “Kupën e Botës FIFA”, duke frymëzuar tifozët në mbarë botën.
Duke filluar nga sot, Coca-Cola fton komunitetin vendas të futbollit për të parë simbolin më të njohur në futboll dhe për të përjetuar magjinë e vërtetë të ngjarjes më të madhe dhe më të pritur të një sporti në botë – FIFA World Cup.



