
Partizani do të luajë të martën, ndeshjen e parë ndaj Atletic Club D’Escaldes, të vlefshme për turin e dytë në Conference League, e cila vjen live dhe ekskluzivisht në ekranin e MCN TV. Në prag të kësaj sfide, ka folur edhe trajneri i të kuqve. Zoran Zekiç, deklaroi se skuadra duhet të jetë e përqendruar në fushë dhe të tregojë autoritet. “Ajo që është më e rëndësishme është që këtu duhet të jemi të përqendruar maksimalisht dhe të luajmë lojën tonë. Të tregojmë autoritet në ndeshjen e nesërme. Sot do të zhvillojmë edhe seancën e fundit. Deri tani të gjithë lojtarët janë të gatshëm. Kemi luajtur dy ndeshje dhe shpresoj që të mos kemi asgjë serioze për ndeshjen e nesërme. Janë dy përballje për tu luajtur, do të fokusohemi te ndeshja e nesërme. Kemi analizuar kundërshtarin gjatë këtyre ditëve. Nesër duhet të mendojmë për paraqitjen tonë dhe të jemi gati për çdo gjë që mund të ndodh gjatë ndeshjes.”, deklaroi Zekiç.



