
Ish-trajneri i Tiranës, Nevil Dede, ka thënë se duhet eliminuar nga fjalori fjala trukim dhe tolerim për futbollin. I ftuar në emisionin “Skaner” në MCN TV, Dede ka thënë se pavarësisht zërave të shumtë, në fund të kampionatit nuk do të ketë asnjë dyshim për tolerim, apo për zërat që qarkullojnë.
“Në futbollin profesionist nuk mund të flitet për tolerime. Unë mendoj se nuk do ndodhë asgjë. Laçi do luajë për fitore dhe për të dalë kampion. Mund të ndodhë gjithçka. Laçit nuk ia heq njeri të drejtën për të shkuar në Shkodër dhe për të dalë kampion. Laçi në ndeshjet direkte është më mirë. Unë mendoj që në fund fare nuk do ketë asgjë. Ne shqiptarët shkojmë me historinë e disa viteve, por ky sezon do ketë gjëra të reja dhe do hidhen në erë të gjitha aludimet. Duhet t'a eliminojmë nga fjalori jonë, fjalën trukim dhe tolerim. Në të gjithë Europën, janë dhënë verdiktet, vetëm ne nuk kemi skuadrën kampione. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë, mund të fitojnë titullin të gjitha skuadrat që janë në krye.”, u shpreh Dede.



