Pas largimit të Edi Martinit nga drejtimi i skuadrës, te Teuta nuk kanë vonuar shumë për të zgjedhur trajnerin e ri.
Drejtimi i skuadrës i është besuar ish-kapitenit të durrsakëve, Renato Arapi. Ky i fundit pas tërheqjes nga futbolli i luajtur para fillimit të kampionatit, te Teuta ishte në rolin e drejtorit teknik, teksa tashmë i është besuar një tjetër rol i rëndësishëm.
Ka qenë vetë klubi bregdetar, që nëpërmjet rrjeteve sociale, ka njoftuar se skuadra do të drejtohet nga Arapi, i cili do të nisë punën e trajnerit nga dita e sotme.
“Klubi i Futbollit Teuta emëron në krye të pankinës blu ish kapitenin legjendar Renato Arapi. I shpallur 1 herë kampion i Superligës Shqiptare, 1 herë fitues i Kupës së Republikës dhe 1 herë fitues i Superkupës me ekipin e Teutës, Arapi ka shkruar një pjesë të historisë së bluve. Renato Arapi ka qenë së fundi në krye të Teutës në rolin e drejtorit teknik dhe gëzon besimin e plotë të presidentit, klubit dhe skuadrës për të marrë zyrtarisht drejtimin. Një zgjedhje brenda familjes për të synuar objektivat sezonalë. Ai do të marrë nën drejtim skuadrën në seancën stërvitore të radhës ditën e hënë.”, thuhet në komunikatën e Teutës.



