
Nevil Dede, trajner, deklaroi në emisionin “Skaner” në MCN TV, se Partizani ka më shumë kualitet në skuadër, se rivali në turin e parë në Champions League, Bate Borisov. Sipas tij, Partizani ka elemente të rëndësishme në skuadër dhe i kanë pozicionet të dubluara. “Luajti me kampionen e Maqedonisë, fituan 1-0 dhe nuk pësuan gola., Struga e ka sulmin me kualitet. Përveç punës së bërë nga trajneri Zekic, Hadroj, Sota, Preka, Buxhelaj apo edhe Telushi, janë një vit më të mëdhenj dhe me eksperiencë. Vendosja me 2 mesfushorë, ka më shumë filtra përpara dhe janë më komodë në ekuilibër. Është një skuadër që ka elemente në çdo repart dhe janë të dubluar. Nëse Partizani dhe Bate Borisov, janë në parametra të barabarta fizike, mendoj se të kuqtë kanë më shumë kualitet si skuadër, duke parë emrat që janë aty. Nuk ka çfarë të bëjë askush, në kushtet si ne e zhvillojmë kampionatin. Datat e UEFA-s janë të përcaktuara dhe kaq kohë ke në dispozicion.”, u shpreh Dede.



