Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, për MCN TV, është shprehur se asnjë ekip tjetër në Shqipëri nuk dërgon në kombëtaret 4 lojtarë, përveç bardhebluve. Shehi foli edhe për derbin me Partizanin, ekip që tha se nuk e përjashton nga gara për titullin kampion, ndërsa shtoi se i vjen keq për largimin e Ilir Dajës.
“Kemi lojtarë shumë të rëndësishëm. Ndoshta jemi skuadra e vetme në kampionat që kemi 4 lojtarë nëpër kombëtare. Duke pasur lojtarë cilësorë, çdo gjë bëhet më e lehtë. Në të ardhmen lojtarët mund të bëjnë më mirë, por edhe mund të ketë lëvizje jashtë.
Në janar është e vështirë për të gjetur lojtarë cilësorë. Do mundohemi të gjejmë një lojtar që na përshtatet. Në një maratonë të gjatë, asnjë skuadër nuk heq dorë nga synimet e veta. Ndoshta Teuta, Partizani dhe Dinamo janë të distancuara pak, por nuk besoj se do të heqin dorë, sepse matematika ia u lejon dhe kanë ekipe me kontingjent. Nëse nuk arrijnë objektivat madhorë. Kanë objektiva të tjera. Edhe për titullin kampion nuk i përjashtoj këto skuadra.
Derbi është shumë i rëndësishëm si për lojtarët ashtu edhe për trajnerët. Këtë vit derbi ka qenë shumë i rëndësishëm edhe për mua. Është ndjesi e mirë të fitosh dy derbi. Ia dolëm në fund, ndoshta adrenalina dhe kënaqësia është e madhe, por e rëndësishme është të fitojmë dhe të kemi vazhdimësi.
Kur kalojnë minutat çdo gjë bëhet më e vështirë. Por po ushtronim presion te zona e kundërshtarit dhe bëmë mirë.
Në botën e futbollit, është trajneri ai që merr përgjegjësinë i pari. Më vjen keq për largimin e Dajës nga Partizani, por kështu është futbolli.
Më karakterizon edhe natyra, sepse ndoshta jam më i qetë sa duhet. Jam i fokusuar te skuadra ime dhe te fusha. Jemi në një vend komd. Kemi kushte të mira për punë. Personalisht nuk kam fare presion.
Kukësi, Lacci dhe Vllaznia janë më afër nesh. Ne e fillojmë ndeshjen me Vllazninë. Nga janari dhe në vazhdim do të vendosin shumë ndeshjet direkte. Janë skuadra që kanë potencial dhe do i quajmë si pretendentë. Janë skuadra që kanë potencial të të arrijnë dhe të të bëjnë dëm.
Ka momente që edhe ne shpërthejmë dhe dalim nga vetja. Mendoj që të bën mirë të jesh i fokusuar te ndeshja sepse merr edhe vendime të sakta. Aty në stol vendimet duhet të merren shumë shpejt.”, u shpreh Shehi.



