
Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja foli për situatën me të cilën po përballet Elseid Hysaj pas kalimit te skuadra e Lazio. Në një intervistë të dhënë për “La Repubblica”, Reja është shprehur se Hysaj u lëndua shumë nga banderola e fundit e shpalosur prej tifozëve ultras të Lazios.
“Banderola e kishte lënduar shumë. Hysaj po kalon momente shumë të vështira. Sapo ka arritur në një ekip të ri dhe po përballet me këtë situatë. Nuk e mendonte kurrë se do të ndodhte kështu. Nuk është i përkushtuar ndaj politikës, nuk merret fare, as jashtë futbollit. Edhe te ekipi kombëtar, çdo lojtar që vjen për herë të parë, e këndon një këngë para shokëve të skuadrës. Në një bisedë që kisha me Elseidin më tha se e kishte dëgjuar “Bella Ciao” te seriali ‘La Casa de Papel’”, u shpreh Reja.
Ultrasit e Lazios nisën sulmet e tyre ne rrjetet sociale dhe me banderola, pasi mbrojtësi shkodran gjatë prezantimit para skuadrës këndoi një pjesë të tekstit të këngës “Bella Ciao”, e cila i kushtohet lëvizjeve partizane nëpër botë, ndërkohë që lacialët e quajnë veten si fashistë.



