
Elseid Hysaj vijon të jetë në qëndër të klubeve të mëdha europiane që kërkojnë të marrin shërbimet e tij.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare kërkohet nga tre klube të “Premier League” dhe kjo gjë është konfirmuar nga vetë menaxheri i lojtarit shkodran Mario Giuffreddi.
Giuffreddi në një intervistë të dhënë për “CalcioNapoli24” ka deklaruar se janë tre klube të Premier Leagues që kanë shfaqur interes konkret për Elseid Hysajn.
“Hysaj tek Chelsea? Elseidi kërkohet nga shumë klube në Premier League, madje 3 prej tyre kanë kryer lëvizje konkrete, megjithatë duhet parë sa të gatshëm janë për të paguar klauzolën e tij”, ka deklaruar Giuffredi.
Hysaj rinovoi në 2016 kontratën e tij me Napolin deri në vitin 2021 me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër, ndërsa në kontratë u përfshi edhe klauzola prej 50 milionë eurosh.
Tre klubet angleze që janë përfolur se janë gati të paguajnë këtë janë Chelsea, Manchester Unitedit dhe Arsenali.



