Vllaznia luan një ndeshje shumë të rëndësishme ditën e nesërme, teksa do të sfidojë në shtëpi kampionaët e Teutës. Në “Loro Boriçi”, shkodranët do të kërkojnë me çdo kusht triumfin, edhe si një lloj hakmarrje për titullin e sezonit të kaluar,por edhe për humbjen në Superkupë, pak javë më parë.
Në prag të kësaj sfide, para mediave ka folur trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç. Ky i fundit vlerësoi kundërshtarin dhe tha se lojtarët e tij janë të përqendruar te ndeshja e nesërme, për të marrë një rezultat pozitiv. Tekniku gjerman tha se Vllaznia është në rrugën e duhur dhe kanë një dëshirë të madhe për të marrë 3 pikët.
“Mezi po e presim këtë ndeshje, jemi gati dhe të gjithë përfshirë mua jemi të inkurajuar që të japim kontributin tonë. E rëndësishme është të kemi mbështetje nga tifozët dhe duhet të jemi një ekip. Të jemi gati në çdo mënyrë të mundshme.
Fitorja me Laçin, ka krijuar një atmosferë të mirë. Të fokusohemi te ajo që duam. Është një rrugë e gjatë, të besojmë te atmosfera sepse bëjmë një punë të madhe çdo ditë. Nëse do fokusohemi, do jemi më të suksesshëm. Nesër do jetë ndeshje e rëndësishme sepse do luajmë me Teutën, pasi me ata kemi disa gjëra pezull. Të mos flasim shumë, pasi jemi të përqëndruar.
Kemi vetbesim sepse kemi dëshirë për tri pikë, duhet të jemi më konkret dhe cinikë në sulm me realizimit. Përvoja e të kaluarës në Superkupë dhemb dhe të mësojmë nga këto. Lojtarët duhet të bëjnë ndonjëherë më shumë se limitet e tyre.
Kemi biseduar me lojtarët për ndeshjen e shkuar ndaj Laçit, jemi të kënaqur për pesë golat. Kemi folur për këtë por edhe sesi pësuam tre gola. Fitorja ndonjëherë arrihet edhe me një gol, nuk i dihet sesi shkon ndeshja.
Mendoj se duhet të përmirësohemi në mbrojtje, jo vetëm mbrojtësit punojnë për këtë por edhe pjesa tjetër e ekipit. Të mos ndryshojmë parimet tona sepse jemi ekip ofensiv dhe me këtë identifikohen tifozët tanë.
Çmimet e biletave dhe protesta? Për shkak edhe të Covid klubi ka edhe shpenzime dhe mbase justifikohet rritja. Nuk është detyra ime të flas për aspektin financiar. Duhet të kemi balancën e duhur që të jemi të gjithë të kënaqur, të bëjmë tifozët të kënaqur me fitoren tonë. Të gjithë e kanë qejf picën, të bën pak më të shëndoshë por të gjithë e duan.
Deklarata e Hasanbelliut? Nuk jam i interesuar të jap asnjë përgjigje për këto deklarata, të jemi të fokusuar te ndeshja.
Të jemi të duruar, nuk kam 11 lojtarë por në fushë ka vetëm aq. Të jemi të duruar sepse të gjithë kanë mundësitë e tyre, do luajmë tre ndeshje në javë dhe në fund të ditës e rëndësishme është të kemi sukses”, tha Brdaric.



