Partizani u rikthye te fitorja, teksa mposhti Dinamon në derbi, me rezultatin 3-1. Të kuqtë morën një triumf me shumë vuajtje, pasi nga minuta e 37 luajtën me 10 lojtarë, pasi Matondo u ndëshkua me karton të kuq.
Stenio Junior i dha avantazhin në minutën e 27-të skuadrës së Mehmetit, ndërsa Tedi Cara dyfishoi shifrat 3 minuta më vonë.
Agim Ibraimi ngushtoi diferencat në minutën e 38-të, duke u treguar i saktë nga penalltia e shkaktuar nga Matondo për prekje me dorë në zonë.
Në pjesën e dytë, Dinamo ishte dominuese, duke qenë se luante me një lojtar më shumë, por përsëri nuk ia doli të shënonte të paktën një gol, për të barazuar shifrat.
Në minutën e 92-të, ishte Tedi Cara që vulosi shifrat në 3-1, duke shënuar pas një gabimi të Sabien Lilajt.
Me këtë fitore, Partizani merr përkohësisht vendin e tretë me 46 pikë, ndërsa Dinamo duket e pashpresë për mbijetesën, pasi mban vendin e parafundit me 23 pikë.



