Mario Mandzukic është futbollisti më i ri i Milanit edhe pse ende nuk është zyrtarizuar. Futbollisti kroat ka arritur të gjejë akordin me ‘djallin’, që këtë sezon pretendon të fitojë Seria A.
34-vjeçari ka nënshkruar një kontratë deri në fund të sezonit me 1.8 mln euro, ndërsa në rast se Milan kualifikohet në Champions League sezonin e ardhshëm atëherë do ketë rinovim automatik edhe për një sezon tjetër me 3.6 mln euro.
Sipas ‘Sportmediaset’ Mandzukic pritet të jetë sonte ose nesër në mëngjes në Milano, ndërsa për të bindur drejtuesit e ‘djallit’ futbollisti ka bërë ç’është e mundur. Kjo pasi sulmuesi nuk luan prej kohësh, por Maldinit i ka deklaruar se është në formë të shkëlqyer fizike.
Më herët Milan ishte në pikëpyetje mes tij dhe Alexandro Pato-s.
Gjithsesi klubi nga Milano nuk është ndalur me kaq, pasi sipas të gjitha raportimeve ka mbyllur gjithçka me Chelsea-n për qendërmbrojtësin Tomori. Ky i fundit në ndeshjen me Fulham u la jashtë skuadrës dhe gjasat janë për shkak të tratativave me Milanin.
Për anglezin është përdorur formula e huazimit, ndërsa për blerjen përfundimtare Chelsea kërkon 30 mln euro. Milani aktualisht po punon për ta ulur sa më shumë këtë shifër.
Këto dy blerje ishin në planin e klubit, por drejtuesit nxituan pasi sot Theo Hernandes dhe Calhanoglu rezultuan pozitiv me COVID dhe më shumë gjasa do të mungojnë për dy javë.



