
Xhuljo Mehmeti nuk është më pjesë e Kastriotit. Ka qenë vetë mesfushori, që nëpërmjet një postimi, ka njoftuar largimin nga skuadra krutane.
27-vjeçari ishte pjesë e Kastriotit prej 2 sezonesh, ku ka zhvilluar paraqitje të shkëlqyera në Kategorinë e Parë, por edhe në Superiore në kampionatin që lamë pas. Këtë sezon, mesfushori u aktivizua në 33 ndeshje më skuadrën e Ndreut, duke qenë një nga lojtarët më të aktivizuar.
Mehmeti tashmë ka dalë si lojtar i lirë dhe është në kërkim të një aventure të re. Interesimet me shumë mundësi nuk do të mungojnë për lojtarin, duke parë edhe paraqitjet e shkëlqyera që ka treguar me Kastriotin.
“Kontrata ime me Kastriotin mbaroi. Kam vendosur të kërkoj diçka të re në karrierën time. Ishin dy vite të bukura dhe jam i lumtur që kontribuova sadopak në arritjen e objektivave të ekipit gjatë këtyre dy viteve. Falënderoj presidentin, drejtorin, trajnerin, stafin, tifozët dhe shokët e ekipit. Ishte kënaqësi.”, shkruan Mehmeti në postimin e tij.



