
Merkatoja e dimrit nuk rezultoi me shumë zhvillime për Real Madridin, ekip i cili deri më tani i ka arritur objektivat, në Spanjë dhe Europë.
Megjithatë, gjatë verës ‘’ Galaktikët ‘’ sigurisht do të jenë një ndër protagonistët, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë. Këtë herë kryeqytetasit i kanë kaluar kufinjtë dhe jane përqëndruar tek talenti i Fluminenses Kaua Elias.
Me vetëm 17 vite mbi supe sulmuesi po fiton shumë pikë në lidhje me të ardhmen dhe spanjollët sipas ‘ As ‘ nuk ia kanë shqitur sytë në javët e fundit.
Nuk përjashtohet mundësia që golashënuesi të aktivizohet në ekipin e dytë me qëllimin e adaptimit sa më shpejt të jetë e mundur dhe më pas të vihet nën urdhërat e Carlo Ancelottit.
S'do të jetë aspak e lehtë pavarësisht se flitet për Real Madridin dhe pritet reagimi i brazilianëve për një ndër elementët më të rëndësishëm të trainerit Fernando Diniz.
Tentativat e Real Madridit ndër vite në Amerikën e Jugut, sidomos në Brazil dhe Argjentinë kanë rezultuar me sukses duke qenë se bëhet fjalë për një ndër klubet më të suksesshëm në botë, të cilin është vështirë për ta refuzuar.
Në sezonin aktual Kaua Elias numëron katër sfida me Fluminensen por gjithsesi fakti se nuk e ka mbushur moshën, mund ta ndërlikojë largimin nga finalistët e Botërorit të Klubeve.



