
Marrëveshja ishte arritur që dje, por vetëm ditën e sotme ka ardhur zyrtarizimi. Stefano Pioli ka rinovuar kontratën me Milanin deri në verën e vitit 2023, me mundësi rinovimi edhe për një vit tjetër.
Rezultatet e shkëlqyera të Milanit, kanë bindur drejtuesit kuqezi, për të zgjatur bashkëpunimin mes palëve. Kuqezinjtë mbajnë kreun e renditjes në Serie A së bashku me Napolin dhe shihen si pretendentët kryesorë për të fituar titullin kampion në fund të sezonit.
Përveç kësaj, skuadra ka bërë mirë edhe në Champions League, aty ku llogaritë për kalimin e fazës së grupeve janë ende të hapura dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjen e fundit.
Përveç rinovimit, në kontratën e Piolit është përfshirë edhe një rritje page, e cila tashmë do të jetë 3.5 milionë euro në sezon.



