Mesfushori Ylber Ramadani, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës që Shqipëria do të luajë ndaj Ishujve Faroe të martën. Ramadani deklaroi se përballë është një kundërshtar jo i lehtë, ndërsa shtoi se skuadra do të bëjë maksimumin për të marrë fitoren. Sipas tij, në ekip nuk ka vend për eufori. “Ne jemi të gjithë profesionistë dhe këto dy ndeshje kemi ardhur t’i luajmë duke dhënë 100 përqindëshin në fushë. Besoj se do shkojmë aty të bëjmë maksimumin dhe të marrim rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Normalisht nuk duhet të kalojmë në eufori. Duhet të hyjmë në ndeshje me qasje shumë të mirë, duhet të hyjmë aty të marrim rezultat pozitiv, duhet të hyjmë të bëjmë maksimumin të gjithë që të shkojmë në Shqipëri me fitore. Normalisht çdo ndeshje kemi vetëbesim dhe duhet të bëjmë maksimumin. Kemi shumë energji pozitive brenda grupit, jemi shumë të kënaqur pasi trajneri ka futur energji shumë pozitive në ekip. Duhet të përshtatemi që në momentin e parë në fushë, deri në momentin e fundit. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, shumë e fortë fizikisht. Nuk ka më ndeshje të lehta dhe jemi përgatitur të përballemi me një kundërshtar shumë të fortë. E njoh shumë mirë, pasi kam jetuar për katër vite në Danimarkë. Kam një shok që luajnë aty, nuk janë ekip i lehtë. Ata do mundohen të na e bëjnë jetën të vështirë. E njoh më mirë se sa e mendoni Ishujt Faroe.”, deklaroi Ramadani.



