Gazetari Mantho Prokopi duke analizuar në “Mcn Informacion” situatën te ekipi i Tiranës, theksoi që afrimet e dimrit duket se po i marrin përdore “bardheblutë” në misionin e tyre minimal të mbijetesës. Prokopi evidentoi si lojtarë kyç Ernest dhe Misloviç, ndërsa pritet edhe rikthimi në formën e tij më të mirë i Xhixhës, një emër i madh në kampionatin shqiptar.
"Duket se Tirana hodhi thjesht hapin e parë drejt misionit të tyre minimal që është mbijetesa. Tirana mposhti Bylysin në shifrën minimale 0-1 në Ballsh, që është transfertë e vështirë. Tirana edhe pse ka bërë përforcime, në lojë çedon dhe s’është ajo Tirana dominuese. Duket që Ernest është lojtari që po merr përdore Tiranën. Po ashtu edhe afrimi i mesfushës Patrik Misloviç, që shënoi kundër Skënderbeut dhe sot ishte prapë titullar dhe bëri shumë mirë.
Duket se afrimet e merkatos së dimrit po e marrin Tiranën përdore. Edhe Xhixha, emri i tij është i madh dhe sot e nisi titullar te Tirana. Nëse Xhixha rikthehet në formë, me një Ernest që është në formë të mirë, me Misloviç që po bën shumë mirë dhe me dy afrime të tjera, duket se misioni mbijetesë po bëhet më i mundshëm për Tiranën, por mos harrojmë që ndodhen akoma në vendin e fundit. Do shohim një Tiranë pragmatiste që synojë tre pikët. Xhixha është bomberi i sulmit të Tiranës. Nëse do gjejë formën që ka pasur, do marrë përdore Tiranën për të siguruar së paku mbijetesën".



