
Sfidat e skuadrave shqiptare në Kupat e Europës nisën sot me Dinamon e Tiranës, e cila zhvilloi ndeshjen e parë ndaj Atletik Escaldes në Andorrë, në kuadër të turit të parë të UEFA Conference League.
Në një lidhje për “MCN Informacion”, gazetari sportiv Gentian Alinani e vlerësoi këtë sukses si një hap pozitiv dhe një motivim shtesë për Dinamon që të kalojë më tej në kompeticion.
Dinamo kaloi në disavantazh në pjesën e parë, por tregoi pjekuri dhe dominim në pjesën e dytë. Fitorja në transfertë është shumë e rëndësishme, sidomos kur kthehesh në Evropë pas një periudhe të gjatë.
Dinamo, që rikthehet në arenën evropiane pas gati 11 vitesh mungesë, arriti një fitore me përmbysje 1:2, falë golave të Zabërxhës dhe Çardakut.
Do të ishte mëkat i madh nëse Dinamo do të largohej me humbje, madje edhe një barazim nuk do t’i shkonte për shtat për mënyrën se si e zhvilloi ndeshjen.
Gazetari Alinani theksoi gjithashtu se Dinamo e Ilir Dajës ka potencial për të siguruar kalimin në turin tjetër.
Janë edhe 90 minuta për t’u luajtur në ‘Elbasan Arena’, por fitorja 1:2 në transfertë jep besim dhe motivim të madh.
Nëse skuadra tregon të njëjtin nivel loje si sot, besoj se do ta kalojë këtë tur.



