
Mbrojtësi i Polonisë, Kamil Glik duke folur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Shqipërinë, nuk i kurseu fjalët e mira për ekipin e Rejës, duke thënë se luajnë të gjithë në grup. Gjithashtu ai bëri edhe një krahasim me ndeshjen e kaluar, ku tha se nuk mendon se do të përsëritet edhe këtë herë që të shënojnë 4 gola ndaj Shqipërisë. Në fund ai e pranoi se rasti i Manajt në Poloni ishte penallti.
"Jo vetëm lojtarët, por dhe trajneri është italian çka ka sjellë cilësi te skuadra e Shqipërisë. Duhet të përballemi me këto cilësi sa më mirë të jetë e mundur në ndeshjen e të martës.
Shqipëria pësoi katër gola në ndeshjen e parë, gjë që është shumë e rrallë për ta dhe jam i sigurt që nuk do të përsëritet dot nesër. Çdo ndeshje ka historinë e saj dhe ne jemi gati të përballemi me ta nesër, për t’u marrë mesfushën dhe për të pasur kontrollin e lojës.
Kemi në përbërje një grup lojtarësh me shumë përvojë dhe do të përpiqemi ta shfrytëzojmë këtë edhe në ndeshjen e nesërme për të bërë më të mirën. Kemi pak më shumë presion, por nuk na streson, madje përkundrazi na frymëzon për të dhënë diçka ekstra në fushë.
Nuk do të veçoja një lojtarë të vetëm, pasi Shqipëria vepron si ekip, veçanërisht në mbrojtje, ku lëvizin në bllok dhe përpiqen të zbresin shpejt në kundërsulm. Bashkëpunimi i mirë me njëri-tjetrin i bën ata vërtetë të rrezikshëm.
Rasti i Manajt në Poloni? E kam thënë edhe pas ndeshjes në Varshavë, që ishte penallti e pastër, por arbitri nuk ndërhyri. Unë nuk i shmangem përgjegjësisë dhe e pranoj që ishte penallti.", u shpreh Glik.



