
Gazetari i sportit, Ylli Aga, në emisionin “Skaner” në MCN TV, ka thënë se Shqipëria nën drejtimin e Rejës ka bërë shumë mirë në mbrojtje. Ndeshjen me Uellsin që u mbyll në barazim pa gola, Aga u shpreh se ishte paraqitje dinjitoze e Kombëtares.
“Besoj që nuk ka probleme nëse kërkojmë më shumë nga ekipi kombëtar. Unë i qëndroj mendimit që ishte një barazim i rëndësishëm ndaj një kundërshtari që është në Europian. Është barazimi i parë, ndaj ekipeve të ishullit. E konsideroj një barazim dhe një paraqitje dinjitoze. Trajneri po merr maksimumin në mbrojtje, pasi është një nga repartet që rregullohet më kollaj. Për statistikë ndeshja numër 19 e Rejës, në 9 ndeshje porta ka qenë e paprekur. Trajneri i ka bërë të gjitha përpjekjet për sulmin te Shqipëria. Në të gjitha ndeshjet që ka qenë në drejtim, ai ka thirrur 52 lojtarë në total. Në këtë brez lojtarësh nuk kemi lojtarë të spikatur, që nuk bëjnë diferencën në një moment deçiziv.”, u shpreh Ylli Aga.



