
Kombëtarja shqiptare, vazhdon përgatitjet për ndeshjen e nesërme ndaj Izraelit, të vlefshme për Ligën e Kombeve, e cila do të luhet në stadiumin “Air Albania” në orën 20:45.
FSHF njofton se seanca e fundit u fokusua më shumë në aspektin taktik të ndeshjes ndërsa trajneri Edoardo Reja ka provuar module të ndryshme për sfidën zyrtare. E vetmja mungesë ishte Sokol Cikalleshi, i cili po kalon në gjendje gripale dhe qëndroi pushim.
Stafi mjekësor po e mban në monitorim sulmuesin për të parë në vazhdimësi gjendjen e tij nëse do të mund të jetë i gatshëm për të luajtur ndaj Izraelit.
I gjithë grupi është stërvitur normalisht, teksa Armando Broja dhe Myrto Uzuni kanë treguar gjendje të mirë fizike dhe janë rikuperuar plotësisht. Edhe pjesa tjetër e grupit janë në dispozicion, ndërsa mesfushori Odise Roshi siç është bërë e ditur nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e dytë të Ligës së Kombeve.



