
Interesi i ekipeve të Arabisë Saudite për yjet e futbollit europian po shtohet me kalimin e kohës.
Sigurisht bëhet fjalë për skuadrat e elitës, të cilat po lënë gjurmë në kampionatet respektive dhe gjithashtu kompeticionet europiane.
Pas ofertës prej 350 milionë eurosh për Vinicus Junior, objektivi i rradhës është Pedri. Spanjolli është shëndërruar në një referent në mesfushën e Barcelonës, kontrata e të cilit përfundon në qershorin e 2026-tës.
Sidoqoftë negociatat për rinovimin e saj deri në 2030-tën vijojnë me sukses dhe sipas ‘ Sport ‘, marrëveshja është praktikisht e arritur.

Gjithsesi ky aspekt nuk e shmang ofensivën e sheikëve për ta shtuar cilësinë në kampionatin e Arabisë Saudite, i preferuar nga shumë yje të cilët lanë gjurmë në të shkuarën në Europë.
Janë destinuar mbi 4 miliardë euro, investim i cili do të vihet në funksion të transferimit të lojtarëve cilësorë pasi siç dihet pretendohet të vijohet me këtë projekt nga ekipet për ti paraprirë Botërorit të 2034-tës, eveniment që do të zhvillohet pikërisht në këtë shtet.
Ndërkohë, presidenca e ‘’ Azulgranëve ‘’ e lideruar nga Joan Laporta ka përcaktuar një klauzolë prej 1 miliard eurosh për 22 vjeçarin, aspak shqetësuese për sheikët e klubeve të këtij kampionati.
Flitet se qëllimi i Pedrit është qëndrimi në ‘’ Camp Nou ‘’, pavarësisht ofertave të cilat në plan të parë konsiderohen të parefuzueshme.



