Ivan Balliu vazhdon të shkëlqejë në La Liga, me Rayo Vallecano. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka gjetur rrugën e rrjetës ditën e sotme në sfidën ndaj Real Betis, duke i dhënë 1 pikë skuadrës së tij.
Betis kaloi në avantazh në minutën e 47-të me Canales, ndërsa ishte Balliu, i cili në minutën e 70-të, pas një topi të ngelur në zonë, gjuan bukur dhe e ndal në fundin e rrjetës, duke i dhënë barazimin 1-1 skuadrës së tij, me rezultatin që nuk ndryshoi më. Për shqiptarin, ky është goli i parë në La Liga.
Pas ndeshjes, mbrojtësi i djathtë u shfaq i lumtur për golin, por u shpreh se skuadra e tij mund të kishte marrë më shumë nga kjo ndeshje.
“Betis është një skuadër e madhe, janë me meritë lart në renditje. Megjithatë ne mund të bënim më shumë. Kemi pasur raste dhe nuk i kemi konkretizuar. Vazhdojmë të jemi të pamposhtur në shtëpi, tifozët na japin një ndihmë të madhe. Është e vërtetë që në fushën tonë jemi më shumë agresivë.”, tha 30-vjeçari.
Balliu është duke kaluar një nga sezonet më të mira në karrierë, teksa ka shkëlqyer si në fazën difensive, ashtu edhe në atë ofensive, madje pak ditë më parë u zgjodh edhe si lojtari më i mirë për muajin dhjetor te Vallecano.



