
Gazetari i sportit, Edi Hajdini, duke folur në MCN live, pas grumbullimit të Kombëtares, u shpreh se lojtarët kuqezi, kanë mundësi të bëjnë historinë, duke u ngjitur në Ligën A në Ligën e Kombeve.
Ai analizoi edhe kundërshtarët, duke thënë se në rast se Shqipëria mposht Izraelin në transfertë, atëherë do e ketë më të lehtë në “Air Albania” me Islandën.
Gara në grupin tonë është e fortë për vendin e parë. Lojtarët e Shqipërisë e kanë vetë në dorë, për të bërë historinë dhe për tu ngjitur një Ligë më sipër. Izraeli është kundërshtar i vështirë, na mposhti në ndeshjen e parë këtu. Na mungojnë shumë lojtarë. Mungon shtylla kryesore, që është mbrojtja. Mungojnë Gjimshiti dhe Kumbulla. Ka disa emra të tjerë, por Gjimshiti dhe Kumbulla janë mungesa të rëndësishme. Mungon Cekiçi, po ashtu edhe Bare. Uzuni është në dilema. Shpresat janë të mëdha. Edhe Izraeli ka një mungesë të rëndësishme si Zahavi.
Shpresat janë të mëdha për një fitore në Izrael. Më pas do të kemi ndeshjen me Islandën në shtëpi, e cila më duket e më e lehtë. Është një javë shumë e rëndësishme për ekipin kombëtar. Shpresojmë që këtë herë ta kemi fatin me vete.
Për trajnerin Edoardo Reja, Hajdini deklaroi se i përfundon kontrata në fund të muajit nëntor ndërsa shtoi se sipas mendimit të tij, trajneri i ardhshëm nuk do të jetë shqiptar, por mendon se do të jetë sërish italian.
Kontrata e Rejës përfundon në fund të nëntorit. Të shikojmë këto dy ndeshje, si do jetë ecuria. Nëse bëjmë një bilanc, do e konsideroja pozitive për arritjet që Kombëtarja ka bërë nën drejtimin e Rejës. Nëse shkojmë në Ligën A, do ishte një super arritje. Ka bërë mirë edhe në kualifikueset e Europianit dhe Botërorit. Ka sjellë një frymë pozitive në ekip. Është një kombëtare e fortë, që e respektojnë të gjithë kundërshtarët. Pas përfundimit të kontratës, Rejën e shikoj të larguar. Këtu ndikon edhe mosha e madhe e trajnerit italian. Përveç presidentit të FSHF, askush tjetër nuk i di alternativat për stolin e Kombëtares. Unë kam një bindje që nuk do të jetë trajner shiqptar. Do tentohet një trajner italian për mendimin tim.
Në lidhje me ngjarjen në Kukësi-Partizani, ku lojtari i të kuqve, Tedi Cara u godit nga tifozët, Hajdini u shpreh se shishja me të cilën u godit futbollisti, ishte me akull.
Kishte shumë pritshmëri për ndeshjen e Kukësit dhe Partizanit. Verilindorët ndryshuan trajnerin, i cili e nisi me humbje.
Një shije të hidhur la momenti kur u godit Tedi Cara i Partizanit, nga një shishe uji me akull. E keqja është se erdhi nga tribuna, aty ku janë personat VIP. Nuk u mendua se ishte e madhe, por kur lojtari shkoi në spital, doktorët u habitën, kur panë kaq shumë çarje.



