
Liverpool nuk di të ndalet në Premier League angleze, pasi djemtë e drejtuar nga Jurgen Kloop kanë fituar dhe një ndeshje të rëndësishme në transfertën e javës së katërt përballë Tottenham Hotspur.
"The Reds" kanë treguar dhe njëherë supermacinë dhe dëshirën për të bërë të tyrin titullin pas thuajse 3 dekadash mungesë.
Golat e Wijnaldum dhe Firminho i mjaftuan dhe Liverpool për të marrë 3 pikët e radhës ndërsa goli i Erik Lamela në çastet e fundit të takimit nuk i shërbeu "gjelave" për të marrë një pikë dhe për të shmangur humbjen e dytë rrjesht në kampionat.
Në mitikun "Wembley" takimi nisi nën dominimin e miqve, ku rastet para portës së Vorm shkonin me breshëri. Por pavarësisht rasteve të shumta, për të parë golin e parë duhet të vinte minuta e 39-të, me autor mesfushorin Wijnaldum. Hollandezi shfrytëzoi në maksimum një krosim nga këndi dhe me kokë e bëri të pavlefshëm tentativën e bashkëkombasit të tij.
Me avantazhin minimal të Liverpool u mbyll pjesa e parë, ndërsa fraksioni i dytë nisi me të njëjtën "muzikë" nga ta. Ishte braziliani Firminho që shtyu drejt rrjetës një top të mbetur pranë vijës fatale, duke vendosur në kasafortë fitoren.
Një gol që zgjoi vendasit, me "gjelat" që nisën të "kakarisin" në sulm, por goli i Erik Lamela në minutën e 92-të shërbeu vetëm për statistikë, pasi Liverpool merr fitoren e katërt në po aq javë, duke treguar haptas se në këtë sezon është tërësisht në luftë për titull. Nga ana tjetër Tottenham merr një goditje të fortë përpara debutimit në Champions League, të martën përballë Interit.
Liverpool tani ka 15 pikë pas pesë fitoreve më radhë, dhe është lider para Chelseat dhe Watfordit që kanë nga 12 pikë në vendin e dytë.
Tottenham mbetet në vendin e pestë me 9 pikë, pas dy humbjeve radhazi.



