
Është zyrtarizuar miqësorja e dytë për Shqipërinë në muajin mars. Pas ndeshjes me Spanjën, e planifikuar për t’u luajtur më 26 mars, Shqipëria do të luajë një tjetër miqësore 3 ditë më vonë, ndaj Gjeorgjisë.
Federatat e dy vendeve kanë rënë dakord që sfida të luhet më 29 mars në Shqipëri, ndërsa stadiumi me orarin mbeten për t’u vendosur më vonë.
Shqipëria dhe Gjeorgjia janë përballuar 13 herë në të kaluarën me një bilanc prej 3 fitoresh për kuqezinjtë, 3 barazime dhe 7 fitore për gjeorgjianët. Nga këto 9 ndeshje kanë qenë të vlefshme për eliminatore Europianit e Botërori dhe 4 kanë qenë miqësore.
Dueli i parë është luajtur në Shqipëri më 14 dhjetor 1994 dhe ishte i vlefshëm për eliminatoret e Europianit 1996. Ajo sfidë u fitua nga Gjeorgjia me rezultatin 1-0. Takimi i fundit me Shqipërisë dhe Gjeorgjisë ka qenë miqësorja e 16 nëntorit 2015, që u luajt në stadiumin “Qemal Stafa” dhe u mbyll në barazim 2-2.



