Trajneri i volejbollit, Artan Pogoni, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “Sport Zone” në MCN TV. Pogoni u shpreh se gjatë prezantimit të ministrave, nuk u përmend sporti dhe nuk dihet se te cila Ministri do të jetë. Gjithashtu ai më tej foli edhe për ligjin e privatizimit, ku tha se nuk është respektuar ligji dhe shumë klube në pronësitë e bashkive, marrin të ardhura nga taksat e shqiptarëve.
Pogoni tregoi se programi i sportit i përgatitur prej tij dhe disa bashkëpunëtorëve të tjerë, nuk u bë publik nga opozita para zgjedhjeve të 25 prillit dhe tashmë ka mbetur në sirtar.
“Rikthehem edhe njëherë në studio dhe me keqardhje them se flasim për një gjoja ligj sporti. Unë pashë edhe kur u prezantuan ministrat. Kryeministri as nuk e tha ku ishte sporti. Kur prezantoi arsimin tha Ministria e Arsimit, nuk tha dhe e sportit. Si mund të gjesh te plani qeverisës, për sportin, kur nuk përmendet fare. Unë e mirëkuptoj Fidel Yllin. Edhe ai ndihet në vështirësi dhe e di që nuk është bërë asgjë. Sporti mesa kam kuptuar do të mbetet te Ministria e Sportit. Ndarja më vete do ishte më e mira, e kemi kërkuar prej 30 vitesh.
Programi i sportit është programi i vetëm i opozitës që nuk u shfaq te publiku. Ne ishim një grup njerëzish seriozë që punuam për atë program. Unë ndihem mirë me veten, që bëmë një program për sportin. Jemi në kushtet e një enigme, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë.
Të gjitha marrin para nga buxheti i shtetit, nga buxhetet e bashkive. Sot klubet sportive, mbahen nga paratë e taksapaguesve, në të gjitha bashkitë. U tha që nuk duhet të jetë kështu. U la një vit që të bëhej privatizimi, por kemi ende në të njëjtën pozitë. Situata është qesharake. Ligji u bë nga kjo qeveri dhe nuk zbatohet. Këtu funksionon siç ishte. Jemi në kushte të pabarabarta.
Privati zbaton ligjin, ndërsa klubet e shtetit nuk zbatojnë asgjë. Marrin më shumë para se ne. Konkurrojnë, marrin lojtarë të huaj. Është një klub që me paratë e bashkisë, ka marrë 5 lojtarë të huaj deri tani. Ne kërkojmë që të zbatohet ligji. Futbolli e ka dhënë shembullin. Do ketë vështirësi, por kush te dalë të dalë. Paketa që kishim propozuar ne, është akoma atje në sirtar. Çdo ligj që prodhohet duhet të shkojë në favor të qytetarëve. Ajo që kemi propozuar ne është në favor të sportistëve, nuk është në favor të PS apo PD.
Nëse opozita do të vinte në pushtet, gjëja e parë do të ishte që sporti të ishte më vete. Një zë pranë kabinetit qeverisës do të ishte. Duhet të jetë. Ka kohë ende. Mund ta heqësh nga Arsimi dhe ta vendosësh më vete. Këtu po ndodhin çudira. Po ikin skuadra nga Tirana dhe përfaqësojnë Lezhën. Si mund të funksionojë kështu?!
Për t’u përshëndetur këtë herë në KOKSH, është zgjedhja e Gerti Shimës si sekretar. Vjen nga një sport i lujatur dhe me shumë suksese të arritura. Sekretari i KOKSH është më burokrati në sportin shqiptar.
E shikoj ambientin që përfaqëson volejbollin, KOKSH dhe të tjerat që janë në gjumë letargjik. Të gjithë në kafe ankohen, që s’kemi lek dhe gjera të tjera, ndërsa në TV thonë gjëra të tjera. Unë bëra status dhe më erdhën shumë mesazhe, njerëzit kanë frikë edhe të komentojnë.”, u shpreh Pogoni.



