
Shqipëria është më afër se kurrë një mundësie historike për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror të Futbollit 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Pas fitores vendimtare në transfertën kundër Serbisë, kuotat për të siguruar pjesëmarrjen në play-off janë rritur ndjeshëm, pohon gazetari sportiv i Radio Tiranës, Ervin Baku.
Në një intervistë për “MCN Informacion” shpreh bindjen se Shqipëria është shumë pranë objektivit.
Pas fitores në Serbi, jemi me një këmbë e gjysmë në play-off. Nuk mendoj se do të bëjmë ndonjë hap të gabuar në këtë fazë.
Shqipëria do të luajë më 13 nëntor kundër Andorrës, një sfidë që konsiderohet thelbësore për të vulosur vendin e dytë në grup, i cili siguron të drejtën për të luajtur në fazën “play-off”.
13 nëntori është data kyçe. Fitorja ndaj Andorrës do të na çojë zyrtarisht në play-off. Më pas, më 26 mars, kemi dy finale të mundshme që mund të na çojnë në Botëror.
Kombëtarja shqiptare ka treguar një formë të qëndrueshme në ndeshjet kualifikuese dhe është në prag të realizimit të një tjetër ëndrre të madhe pas pjesëmarrjes në Euro 2016 dhe Euro 2024.
Kemi një ekip të konsoliduar, me moral të lartë dhe një trajner që ka ditur të menaxhojë mirë grupin. Ky është momenti për të qëndruar të fokusuar deri në fund.



