
Vështirësia për të vijuar në ‘’ Allianz Stadium ‘’ sezonin e ardhshëm përforcohet çdo ditë e më shumë për Alvaro Moratan .
Spanjollit i duhet të rikthehet tek Atletico Madridi në muajin qershor pasi ‘’ Los Colchoneros ‘’ zotërojnë kartonin e 29 vjeçarit por gjërat mendohet se do të ndryshojnë rrjedhë shumë shpejt duke qenë se për golashënuesin janë disa pretendentë të interesuar.
Së fundmi ‘’ Topchinjtë ‘’ e Arsenalit kanë përveshur mëngët për transferimin e madrilenit në ‘’ Emirates ‘’ sepse i njohin shumë mirë cilësitë e tij dhe duan t’ia plotësojnë dëshirën bashkombasit Mikel Arteta.
Por duhet theksuar se skuadra e Juventusit po negocion me Atletico Madridin sepse mendon se Alvaro Morata mund ti shërbejë në të ardhmen ofensivës së ‘’ Zonjës së Vjetër ‘’ e cila duhet të jetë më e ashpër dhe insistuese nëse do të ndryshojë fatet të Serisë A dhe në Champions League .
Por nga ana tjetër , kryeqytetasit e dinë se largimi i Alexandre Lacazettes do të lërë një boshllëk të madh në metrat e fundit dhe iu nevojitet një lojtar i eksperimentuar që garanton golat të cilët do t’ia ndryshojnë performancat këtij Arsenali që prej kohësh mungon në Champions League dhe synon një herë e mirë të thyejë akullin dhe të rivalizojë me më të mirat e kontinentit të vjetër .
Sipas gazetarit të mirënjohur Ekrem Onur, ‘’ The Gunners ‘’ mendojnë të ofrojnë 30 milionë euro për Alvaro Moratan dhe ta rikthejnë në Londër, aty ku para disa vitesh mbrojti ngjyrat e Chelseat gjatë një sezoni e gjysëm .
13 herë kampionët e Premier Leagues janë të sigurtë se situatat do të ndryshojnë sepse lojtarët e kalibrit në momente të caktuara bëjnë diferencën dhe madrileni e ka treguar me çdo ekip që mbetet një sulmues shumë i frikshëm dhe të ndëshkon atëherë kur nuk e pret.
Shumë vite jashtë Champions Leagues i kanë forcuar anglezët të cilët e kanë kuptuar se për të rivalizuar kokë më kokë me të mëdhenjtë e Europës duhen lojtarë cilësorë në çdo repart sepse vetëm me emrin nuk mund të arrihen objektivat.



