
Sulmuesi Edon Zhegrova, ka shpërthyer keq ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës.
Nëpërmjet një postimi, Zhegrova deklaron se nuk u ftua për ndeshjet e nëntorit, për shkak se nuk ishte në ndeshjen me Izraelin, ku nuk u lejua nga Lille.
Lojtari nuk i kurseu akuzat e rënda, ku personat përgjegjës i quan intrigantë dhe amatorë.
POSTIMI:
U rrita në Prishtinë më ëndrrën se një ditë do të luaj për Kombëtaren time.
Edhe pse derisa e krijuam Kombëtaren e Kosovës, mua m’u ofruan shumë oferta, shumë joshje, të jem diku tjetër, por për mua ishte vetëm një ëndërr: të luaja për atdheun tim, për Kosovën.
Me muaj të tërë më kanë joshur të tjerët me lloj-Iloj oferte, ndërsa për Kosovën kam vendosur për 1 minutë bisedë me të ndjerin Fadil Vokrri. Sepse e kam dëgjuar zemrën.
Të dashur tifozë, ditët e fundit erdha me pikëpyetje të luaj apo të mos luaj nga njerëz brenda kombëtares, ata që vendosin për fatin e Kosovës në forma individuale dhe asnjëherë zyrtare.
Të them të vërtetën, shumë herë isha pengesë e disa personave në kombëtare dhe thashethemet ishin drejtuar kundrejt meje shpesh, por nuk kam folur asnjëherë, vetëm të mos e prish harmoninë e kombëtares, sepse kombëtarja është mbi të gjithë, mbi intrigat, thashethemet e njerëzve amatorë kundrejt meje.
Ndeshjen e fundit nuk pata mundësi të jem pjesë e Kosovës për arsye tashmë të njohura, pavarësisht dëshirës sime të madhe. Ua kam bërë të ditur që për ndeshjet tjera dua të jem aty të ndihmoj kombëtaren me vullnetin maksimal, por përgjigjja e tyre ishte: nëse nuk vjen ketë ndeshje, harroji edhe ndeshjet tjera, nuk po na duhesh.
E çuditshme, sepse jam në formën më të mirë dhe dua të kontribuoj dhe të sakrifikoj gjithçka për Kombëtaren time.
Njerëzit në kombëtare e dinë, që unë shpesh kam luajtur i lënduar dhe kam sakrifikuar edhe karrierën për fanellën e Kosovës. Ndaj Rumanisë, kam ardhur, kam luajtur “me një këmbë”, dhe asnjëherë nuk jam ankuar sepse këtë e bëj për nderin e shtetit dhe popullit dhe jo për njerëzit injorantë, që bëjnë kalkulime dhe nuk ia duan të mirën vendit!
Shumë njerëz dhe dashamirë të mi më shkruan dhe më pyetën prandaj desha të jap këtë sqarim.
Dhe asnjëherë nuk do të hesht ndaj padrejtësive. Unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë “Biri yt, Kosovë”, juaji, Edon Zhegrova.



