
Sulmuesi i Milanit, Olivier Giroud, foli në prag të sfidës me Interin në gjysmëfinalen e Champions League.
Francezi kërkon “hakmarrje” ndaj zikaltërve për humbjen në Superkupë, sfidë për të cilën tha se i ka ngelur në mendje.
“San Siro” është një stadium i veçantë, veçanërisht kur bëhet fjalë për derbin. Më pas vjen dhe prestigji i Champions League dhe fakti që një ekip i Milanos do të jetë në finalen e Stambollit. Më kujtohet ende disfata ndaj Interit në Superkupën e Italisë. Ajo sfidë ka mbetur në mendjen time, kështu që ne do të duhet të bëjmë më të mirë tonë.
Falë një stili jetese të shëndetshme dhe faktin që lëndohem rrallë, kam ende rezultate të mira dhe ndihem mirë fizikisht. E dua futbollin dhe e di se sa shumë do të më mungojë kur të var këpucët në gozhdë. Për shokët e mi të skuadrës jam si një vëlla i madh, i jap këshilla nëse kanë nevojë. Jam në dispozicion dhe përpiqem të kem gjithmonë një qëndrim pozitiv. Është e rëndësishme të bisedoni me të rinjtë dhe t’i inkurajoni ata.



