
Ideja e përforcimit të skuadrës me elementët e duhur e ka detyruar Arsenalin të nisë përcaktimin e emrave që mund të përshëndeten me ‘’ Emirates ‘’ gjatë merkatos verore . Një ndër to është Alexandre Lacazette . Francezit i mbetet edhe një vit kontratë me ‘’ The Gunners ‘’ dhe do ti duhet të analizojë ofertat e dy klubeve shumë të njohura në Primera Division si Atletico Madridi dhe Sevilla.
Sipas portalit ‘’ 90 Min ‘’ kryeqytetasit kanë konfirmuar se dëshirojnë largimin e 29 vjeçarit nga gjiri i tyre për të dalë disi të fituar për arsye se kontrata e ishi-t të Lyonit merr fund në qershorin e 2022-shit . Në aspektin e përgjithshëm statistikat e regjistruara nga Alexandre Lacazette me 13 herë kampionët e Premier Leagues nuk i kanë kaluar 14 golat në sezon por një kalim i mundshëm në Spanjë ndoshta do ti krijonte më tepër shpresa për të rritur nivelin në fushën e lojës duke qenë se si andaluzët ashtu edhe ‘’ Los Rojiblancos ‘’ ia ofrojnë këtë mundësi për faktin se reparti i avancuar i tyre ka rezultuar shumë produktiv gjatë ndeshjeve .
Nëse i referohemi Atleticos duhet theksuar se traineri Cholo Simeone gjithmonë ka treguar simpati për golashënuesin francez sepse pavarësisht mprehtësisë përpara portës është një lojtar shumë i shpejtë , element që do ti krijonte një impuls më tepër ofensivës së tyre për të arritur sukseset e pretenduara , ndërsa drejtuesit e Sevillas kanë shprehur në disa raste se do të synojnë pasurimin e organikës me transferimin e lojtarëve interesantë në ‘’ Sanchez Pizjuan ‘’ për prezantimin në të njëjtat ritme edhe gjatë sezonit vijues , skuadër për të cilën pjesëmarrja në Uefa Champions League konsiderohet një sukses i jashtëzakonshëm . Alexandre Lacazette vazhdon ta tregojë rëndësinë brenda skemave të Mikel Arteta-s edhe në këtë sezon sepse në 36 ndeshje të realizuara me ‘’ Topchinjtë ‘’ ka gjetur në 12 raste rrjetat kundërshtare dhe ka shërbyer me 4 të tjerë për shokët e tij duke lënë për të kuptuar se është në rrugë të mbarë për të rikuperuar versionin më të mirë brenda fushës.



